Presidenti Begaj firmos dekretin: Me 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet për bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkive të tjera

Më 9 nëntor 2025 qytetarët e gjashtë bashkive të vendit, Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, do të votojnë për kryetarët e rinj pas vakancave të krijuara në drejtim të tyre. Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme, duke përcaktuar datën 9 nëntor si ditën e votimit.

Ndërsa në pesë bashkitë e tjera procesi nuk është shoqëruar me dilema ligjore, për Tiranën ka pasur debate për shkak të interpretimit të Kushtetutës. Ish-kryebashkiaku Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe, sipas Kushtetutës, një vendim i tillë mbetet i pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar nga Gjykata. Megjithatë, presidenti ka vendosur të përfshijë edhe kryeqytetin në dekretin e zgjedhjeve të pjesshme.

Në Berat, Tepelenë dhe Mat, zgjedhjet mbahen për shkak të largimit të kryebashkiakëve Ervin Demo, Tërmet Peçi dhe Agron Malaj, të cilët kandiduan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit nën siglën e Partisë Socialiste dhe fituan mandatin e deputetit. Në Vlorë, Ermal Dredha dha dorëheqjen nga detyra, ndërsa në Cërrik, Andis Salla u largua pasi mori postin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë në ditët në vijim afatet për regjistrimin e kandidatëve dhe zhvillimin e fushatës, ndërsa gara më e ndjekur pritet të jetë ajo në kryeqytet, ku beteja politike ka ngjallur interes të madh.