Gazetari Osman Stafa ka siguruar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi situatën e furnizimit me barna në Spitalin Onkologjik, dokument i cili i është dorëzuar javën e kaluar drejtuesve të QSUT-së. Auditimi përfshin periudhën 2021–2025 dhe nxjerr në pah një panoramë alarmante: mungesa të shumta e të gjata të barnave antitumorale, duke lënë qindra pacientë në situata të rënda dhe me rrezik serioz për jetën.
Në raport thuhet se në sistemin e brendshëm të Farmacisë Qendrore, të quajtur Pentaho, janë gjetur të regjistruara dy medikamente kimioterapie të skaduara, duke treguar probleme serioze me kontrollin dhe menaxhimin e stoqeve.
Një prej rasteve më të rënda të evidentuara është ai i pacientëve me kancer gjaku. Sipas KLSH, për barin daratumumab, QSUT ka kryer në vitin 2025 një furnizim prej 4 mijë flakonësh, megjithatë pacientët kanë vijuar të raportojnë mungesë, çka ngre dyshime për keqmenaxhim ose shpërdorim të barnave.
Raporti evidenton se Shqipëria nuk ka importuar 116 nga 253 barna antitumorale të listuara, që do të thotë se për periudhën 2021–2025 46% e kimioterapive nuk kanë hyrë fare në vend.
Situata bëhet edhe më e rëndë me disa barna specifike. Për Actinomycin, një medikament i rëndësishëm në terapitë onkologjike, drejtoria e QSUT nuk ka asnjë kontratë aktive për importimin e tij. Po ashtu, për Phesgo, që përdoret në trajtimin e grave me kancer gjiri, në periudha të caktuara gjendja në Farmacinë Qendrore ka qenë zero, duke lënë dhjetëra paciente pa mjekimin jetik.
Raporti i KLSH-së ngre kështu alarmin për një krizë të thellë në menaxhimin e barnave onkologjike, ku mungesat dhe mosfurnizimet jo vetëm rëndojnë gjendjen e pacientëve, por vënë seriozisht në pikëpyetje përgjegjësinë institucionale dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike.