“U merrte burrat të tjerave”/ Parashqevi Simaku reagon pas deklaratave denigruese: “Emri im përdoret si tabelë qitjeje”

Këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka reaguar me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, pas disa deklaratave të bëra ndaj saj në media. Simaku, një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare, është shprehur se emri i saj prej 10 muajsh po përdoret si “tabelë qitjeje” nga individë që, sipas saj, kërkojnë vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave.

Reagimi i saj vjen menjëherë pas deklaratave të bëra nga Shqipe Hysenaj në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku kjo e fundit hodhi akuza të rënda ndaj Simakut, duke thënë se “ka dëgjuar që Parashqevi Simaku ka qenë një nga ato persona që u merrte burrat të tjerave.” Hysenaj shtoi gjithashtu se këngëtarja ishte dikur e mirëpritur në ambientet shqiptare në SHBA, por më vonë “u zhduk” nga skena për shkak të thashethemeve që qarkullonin në komunitet.

Simaku, në reagimin e saj, nuk e përmend drejtpërdrejt emrin e Hysenajt, por mesazhi është i qartë. Ajo e konsideron këtë një përsëritje të sulmeve që ka përjetuar edhe në të kaluarën, duke përmendur vitet 1985–1988, kur – sipas saj – edhe pse fitonte çmime dhe nderime për punën e saj artistike, përballej me zili dhe mllef.

“Mua nuk më bëni dot asgjë,” shkruan Simaku në një postim të qartë dhe të prerë, duke theksuar se publiku e njeh dhe e vlerëson për atë që ka përfaqësuar ndër vite. “Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten.”

Simaku mbyll deklaratën e saj me një mesazh të qartë: ajo do të vazhdojë jetën dhe rrugën e saj me dinjitet, pa u ndalur nga thashethemet dhe fjalët e pabaza.