Tronditet Brukseli/ 29-vjeçari shqiptar gjendet i varur në tabelën e sinjalistikës pranë qendrës tregtare

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin belg më 28 shtator, pasi trupi i një 29-vjeçari me origjinë shqiptare është gjetur i varur në një tabelë sinjalizuese pranë Unazës së Brukselit, në zonën Anderlecht. 

Sipas Prokurorisë së Brukselit, trupi i viktimës u zbulua të dielën pasdite, por besohet se kishte qëndruar i varur disa orë më parë.  Viktima ishte lidhur me një kabëll në pjesën pasme të tabelës së sinjalizimit.

Autoritetet kanë nisur menjëherë një hetim për “vdekje të dyshimtë”, ndërsa është urdhëruar autopsi për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e vdekjes.  Zyrtarët belgë konfirmojnë se nuk ka ende prova që lidhin direkt viktimën me rrjete kriminale, dhe nuk përjashtohet as mundësia e vetëvrasjes. 

Vendngjarja ndodhet pranë qendrës tregtare Westland Shopping dhe kjo zonë konsiderohet si një prej vendeve me lëvizje të trafikut të drogës në kryeqytet.  Disa burime përmendin se mënyra e gjetjes së trupit ka elemente që lidhen me taktikat e përdorura nga bandat meksikane (për frikësim, ekspozim publik), megjithëse kjo pistë është ende e pa konfirmuar nga autoritetet zyrtare. 

Hetuesit po mbledhin pamje nga kamerat e sigurisë dhe dëshmi nga zonat përreth për të sqaruar çdo lëvizje të dyshimtë. 

Për momentin, identiteti i viktimës nuk është bërë publik nga organet belge, dhe hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse vdekja ka ndodhur si rezultat i një krimi me paramendim apo ka qenë vetëvrasje.