Kryemadhi për Ilir Metën: “Ai ka zemër floriri, jo floririn e Kërrabës! Pasuria ime është familja”

Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka folur me tone mbrojtëse dhe ironike ndaj akuzave që rëndojnë mbi ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, gjatë një interviste në emisionin “Log” mbrëmjen e së martës. Ajo komentoi hetimet e SPAK për pasuritë e tyre, duke i quajtur akuzat të pabaza dhe të nxitura nga “thashetheme të vjetra”.

Kryemadhi u ndal veçanërisht tek pretendimet për “floririn e Kërrabës”, një histori që ka qarkulluar prej vitesh, e që sipas saj nuk ka asnjë lidhje me realitetin. “E mbani mend floririn e Kërrabës që akuzonin Ilir Metën se e kishte vjedhur? Ilir Meta është flori, sepse ka shpirtin flori,” u shpreh ajo, duke shtuar se as llogaritë bankare të përfolura në Angli nuk ekzistojnë.

Në vijim, Kryemadhi u pyet për pasurinë e saj dhe të familjes, të cilën e përshkroi si të ndërtuar mbi baza të ligjshme dhe transparente. Ajo theksoi se për të, pasuria nuk janë paratë, por familja: “Pasuria për mua është familja. Sepse mund të kesh paratë, por të shtyp makina sa del në rrugë. Unë nuk jam e pasur dhe as e varfër.”

Ish-deputetja kujtoi të ardhurat e përfituara nga qiratë ndër vite, duke sqaruar se që nga viti 1995 deri në 2006, apartamenti i familjes së saj tek “Shallvaret” është dhënë me qira në mënyrë të rregullt, përmes kontratave të noterizuara, dhe se vetëm nga ky burim janë përfituar rreth 200 mijë dollarë.

Sa i përket pretendimeve të SPAK për një apartament në Qerret, Kryemadhi tha se gjithçka është e dokumentuar. “Në 2002 kemi blerë një apartament në Qerret dhe ky apartament është shitur në 2006. Në dosjet e SPAK pretendohet se nuk e kam deklaruar, por unë dhe Ilir Meta e kemi bërë deklarimin në atë kohë. Shitja është regjistruar 300 mijë euro cash,” tha ajo, duke theksuar se dokumentet e noterizuara dhe mandatet e tatimeve janë prova të qarta për ligjshmërinë e të ardhurave të tyre.

Kryemadhi kritikoi organet e drejtësisë për tendencën, sipas saj, për të “mbyllur sytë” ndaj fakteve dhe për të ndërtuar akuza të pabazuara politikisht.