“Harrove që gruan, nënën dhe motrën i çoja unë në varreza”, “ushtari” i Alibejt përplaset me të në gjykatë: “Palaço, ke dashur ta vrasësh Megin?”

Zbardhen detaje të reja nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Erjon Alibej dhe nga përballja në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mes të akuzuarit për vrasje Xhuliano Hoxhës dhe Alibejt, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Gjatë seancës, Hoxha iu drejtua me tone të ashpra Alibejt, duke i kujtuar “nderet” që pretendonte se i kishte bërë pasi i ishte vrarë vëllai: “A shkonin bashkëshortja jote, motra dhe mamaja në varreza?” – pyeti Hoxha, ndërsa Alibej pranoi se ato shkonin shpesh.

“A harrove që i shoqëroja unë. Edhe të thoja, që i çova,” u përgjigj Hoxha, dhe kur Alibej shprehu falënderim nëse kjo ishte e vërtetë, Hoxha e përçmoi duke thënë “Me nder qofsh, po ku di nder ti. Je palaço fare! Sa lekë la vëllai yt pas vdekjes?”

Alibej iu përgjigj se kishte bërë deklarimet e nevojshme dhe Hoxha e pyeti nëse ia kishte dhënë prokurorisë.

Në vazhdim Hoxha e akuzoi Alibejt dhe e pyeti nëse kishte dashur të vriste Megi K., ndërsa Alibej iu përgjigj duke përmendur emrin e Suel Çelës si person që mund të pyetej.

Kur u kërkua nëse do të bashkëpunonte për të vrarë Talo Çelën, Alibej përgjigjej me ironi dhe vendosmëri: “Edhe me djallin për Talo Çelën.” Seanca vazhdon ndërsa prokuroria dhe avokatët përpiqen të sqarojnë rolet dhe motivet në ngjarjet që çuan në vrasje.

Xhuliano Hoxha dhe Erjon Alibej janë të lidhur me disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në Shqipëri gjatë viteve të fundit, kryesisht vrasje mafioze dhe hakmarrje mes grupeve të strukturuara kriminale.