Apeli në Tiranë dënon me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti

Gjykata e Apelit në Tiranë ka dhënë vendimin përfundimtar ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke e dënuar me 12 vite burg. Fillimisht, ai ishte dënuar me 17 vite heqje lirie, por trupa gjykuese e Apelit vendosi të ulë 5 vite nga ky dënim, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, i cili parashikon bashkimin e dënimeve në një të vetëm.

Vendimi u mor nga treshja e gjyqtarëve të Apelit, e përbërë nga Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani, të cilët ndryshuan pjesërisht vendimin e shkallës së parë.

Becchetti, i njohur për investimet e tij në Shqipëri dhe si ish-pronar i televizionit Agon Channel, është shpallur fajtor për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash.

Sipas vendimit të Apelit, biznesmeni italian është përgjegjës për:

  • “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”,
  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
  • “Falsifikim dokumentesh”,
  • “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)”.

Hetimet ndaj tij nisën vite më parë, pas dyshimeve të forta për aktivitete të paligjshme në Shqipëri. Autoritetet shqiptare e akuzuan Becchettin se përmes kompanive të tij kishte ngritur një mekanizëm të sofistikuar për evazion fiskal dhe pastrim parash, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.

Megjithatë, ky proces gjyqësor ka qenë gjithmonë i mbuluar nga polemika, pasi Becchetti ka akuzuar autoritetet shqiptare për persekutim politik dhe përpjekje për të shkatërruar aktivitetet e tij mediatike dhe ekonomike në vend. Ai vetë prej kohësh ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa autoritetet kanë lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për kapjen e tij.

Vendimi i Apelit e bën të ekzekutueshëm dënimin ndaj Becchettit, edhe pse mbetet e paqartë se si do të zbatohet në praktikë, duke qenë se ai nuk ndodhet fizikisht në territorin shqiptar