I bleu parfum të shtrenjtë dhe i shkoi në shtëpi/ Moderatorja i nxorri në takim policinë dhe e futi në burg mjekun që e përndiqte

Një histori si ato të filmave ka ndodhur në Tiranë ku një mjek psikiatër nga Kosova, përndiqte moderatoren e emisioneve sportive Albana Bejko, e cila ka bashkëpunuar me policinë për burgosjen e tij.

Sipas burimeve nga Komisariati Nr. 2, Behar Kamberi, 42-vjeç, kishte krijuar një miqësi me moderatoren dhe e kishte shqetësuar në vazhdimësi.

Hetimet tregojnë se mjeku ishte nisur enkas nga Kosova drejt Tiranës për të surprizuar moderatoren, duke u paraqitur pranë shtëpisë së saj me një parfum të shtrenjtë në dorë. Por ashtu siç ishte planifikuar nga vetë Bejko, ky takim rezultoi në një skenë të organizuar me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.

Në momentin që Kamberi ka mbërritur në vendin e takimit, oficerët e rendit e kanë arrestuar në flagrancë, duke e shoqëruar më pas në ambientet e paraburgimit në burgun “Mine Peza”. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale të përndjekjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.