Çobani e qëllonte me armë për 40 minuta, derisa e vrau/ Zbardhet vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë

Zbulime të reja tronditëse kanë dalë nga hetimet për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ngjarje që ndodhi pas mesnatës së 26 shtatorit në zonën e Qafës së Dilanit.

Balkanweb raporton se konflikti ka nisur për një arsye banale – dritat e gjata të automjetit të italianit, të cilat sipas autorit të dyshuar, Kamber Sulçaj i cili ështe në kërkim, e kanë verbuar në një rrugë dytësore. Kjo përplasje është kthyer në një akt të rëndë kriminal me pasoja fatale.

Autori ka ndjekur dy automjetet ku udhëtonin viktima, ortaku i tij Eqerem Braçi dhe dy djemtë e këtij të fundit, që po lëviznin me dy makina njëri pas tjetrit. Pasi i ka zënë pritë në Qafën e Dilanit, ai ka hapur zjarr ndaj tyre. Të gjithë pasagjerët janë përpjekur të shpëtojnë duke u hedhur në kanal, por italiani 44-vjeçar nuk ka mundur të largohet.

Ai ka mbetur përplot 40 minuta nën breshërinë e plumbave, pasi çdo përpjekje për të lëvizur është shoqëruar me të shtëna të reja nga autori. Hetuesit besojnë se kjo ka qenë një situatë e qëllimshme për ta mbajtur viktimën nën kontroll dhe për ta vrarë me gjakftohtësi.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë qenë kyçe për të ndjekur lëvizjet e autorit. Gjatë një kontrolli në një zonë të thellë malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë, policia ka zbuluar një automjet të braktisur dhe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit. Pranë tyre është gjetur një çantë me mjete të sofistikuara si dylbi me rreze infra, dylbi termike, mbajtëse arme dhe një elektrik dore.

Kontrollet në banesën e Sulçajt dhe të familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë kanë çuar në sekuestrimin e mbi 2.5 milion lekëve në valutë vendase dhe euro, tre armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara të llojit Cannabis, si dhe dy kasaforta ende të mbyllura.

Hetimet janë në vijim dhe pritet që analizat forenzike të japin më shumë të dhëna mbi përfshirjen e autorit dhe motivet e mundshme të ngjarjes.