Si Bonnie dhe Clyde: Çifti nga Tirana kapet teksa transportonte drogë me makinë, arrestohen dhe 3 të tjerë

Një magazinë që shërbente si “bazë” për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike është zbuluar nga policia këtë të premte në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Warehouse”.

Në pranga kanë rënë pesë persona, mes tyre edhe një çift i ri, të cilët dyshohet se luanin rol kyç në transportimin dhe ruajtjen e drogës. Të arrestuarit janë: Xhoi Zina, Anxhelina Koçi, Redion Kuqi, Erdi Gjiriti dhe Ardit Çitaku.

Gjatë kontrollit në magazinën ku fshihej lënda narkotike, u gjet një valixhe me 9 kilogramë kanabis sativa, e ndarë në pako gati për shpërndarje, si dhe një armë zjarri pistoletë. Policia gjeti gjithashtu sasi kokaine, dy armë të ftohta, dy automjete, gjashtë celularë dhe sende të tjera të paligjshme.

Sipas hetimeve, droga dyshohet se ishte marrë nga një grup kriminal në Sukth dhe ishte transportuar drejt Tiranës nga Xhoi Zina, 25 vjeç, në bashkëpunim me të fejuarën e tij Anxhelina Koçi, 22 vjeçe. Dyshja udhëtonte me një mjet tip Toyota Yaris, ndërsa magazina ku dërguan lëndën narkotike rezulton të jetë në pronësi të babait të Redion Kuqit. Ruajtjen e drogës e kishte marrë përsipër Erdi Gjiriti, i cili gjithashtu ka shoqëruar çiftin gjatë transportit.

Ardit Çitaku, 22 vjeç, u arrestua në momentin që ndodhej brenda magazinës. Policia i sekuestroi atij disa doza kokaine.

Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e të dyshuarve. Në shtëpinë e Xhoi Zinës, policia zbuloi një tjetër pistoletë, dy armë të ftohta dhe një shkop bejsbolli. Po ashtu janë sekuestruar dy automjete dhe gjashte telefona celularë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se personat e arrestuar kanë pranuar akuzat dhe kanë zbuluar detaje rreth skemës së funksionimit të aktivitetit të tyre kriminal, që mendohet të ketë nisur të paktën një vit më parë. Megjithatë, policia dyshon se ka persona të tjerë të përfshirë dhe hetimet po vijojnë për identifikimin e tyre.