Makina Porsche përplaset në aksin Berat-Poliçan/Humb jetën 34-vjeçari, dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar pasditen e sotme në aksin Berat–Poliçan, pranë fshatit Vodicë.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip Porsche, ku ndodheshin tre të rinj, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë Endri Vrushaj, 34 vjeç, ndërsa dy pasagjerët e tjerë, Alban Elezi dhe Gisi Shehu, kanë mbetur të plagosur.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën mjekësore të nevojshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.