“Kamarieri milioner”/ Sekuestrohen “Rich Hotel”, 7 prona dhe 6 makina në Pogradec

Hoteli “Rich Hotel” në Pogradec, disa prona dhe automjete janë vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Korçës, pasi dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës.

Prej mëngjesit të së premtes, forca të shumta policie janë angazhuar në zbatimin e vendimit për sekuestrimin e pasurive që i përkasin shtetasit Edri Buliçka. Ky i fundit figuron në dokumente si i punësuar si kamarier në fshatin Udënisht të Pogradecit, por sipas hetimeve, kjo punë ka qenë vetëm formale.

Sipas organit të akuzës, Buliçka dyshohet se ka gjeneruar të ardhura të mëdha nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë, të cilat më pas i ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të tij dhe të afërmve të tij.

Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihen hoteli “Rich” në Pogradec me një sipërfaqe prej 152.5 m2, një truall me sipërfaqe 965 m2, një tjetër truall, dy apartamente, një biznes për shitje dhe blerje automjetesh, një servis makinash dhe gjashtë automjete të ndryshme.

Flota e makinave të Edri Buliçkës përfshinte marka të ndryshme, nga ato të zakonshme si “Ford” dhe “Mini Cooper” deri te automjete luksoze si “Audi” dhe “Mercedes-Benz”.

Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria po shqyrton mundësinë e zgjerimit të hetimit edhe mbi persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë të dyshuar pastrimi parash.