Një 24-vjeçar i identifikuar si Teilor Teliti është vënë në pranga nga policia e Durrësit si i dyshuar për vrasjen e 51-vjeçarit Valbon Beqiri, i cili u gjet i pajetë ditën e djeshme.
Sipas hetimeve të deritanishme të policisë, Teilor Tivari kishte shkuar në banesën ku qëndronte 51-vjeçari Beqiri për të blerë drogë. Më pas mes tyre kishte ndodhur konflikt dhe i riu e goditi disa herë me thikë Valbon Beqirin duke i shkaktuar vdekjen.
Por në dëshminë që ai ka dhënë në polici, siç ka mësuar Report Tv, Tivari është shprehur se viktima tentoi ta përdhunonte.
“Donte të më përdhunonte. Unë mora thikën e bukës dhe e qëllova, nuk e dija që do vdiste. Unë doja të largohesha pasi konsumuan një birrë, Valbon Beqiri nuk më linte”, mësohet të ketë thënë ai përpara grupit hetimor të Policisë së Durrësit.
Beqiri u gjet i pajetë poshtë tavolinës i veshur vetëm me të mbathura, ndërkohë që një nga pistat e hetimit është dhe një lidhje homoseksuale mes tij dhe Telitit.
Pas ngjarjes, autori u arratis, i ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorin e tij, Xh.D. 27 vjeç. Ky i fundit ndihmoi autorin të largohej me një taksi dhe më pas e dërgoi në banesën e tij.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë dhe hetimet e tjera, policia identifikoi autorin dhe e arrestoi brenda disa orësh, së bashku me bashkëpunëtorin. Ai akuzohet për vrasje me dashje dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, kurse ndaj bashkëpunëtorit të tij rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit dhe përkrahje e autorit të krimit.
Banesa ku ndodhi krimi është në pronësi të kushërirës së viktimës, e cila është në emigrim, dhe i kishte lënë çelësin e shtëpisë për t’u kujdesur. Mësohet se ai ftonte miq dhe shokë në banesë, ku edhe konsumonim doza të lëndës narkotike.
Mësohet gjithashtu se 51-vjeçari përdorte edhe një emër tjetër, Marko Beqiri dhe ishte baba i një djali 12-vjeçar. Beqiri shkonte çdo ditë për të marrë djalin dhe një fëmijë tjetër nga shkolla, ndërkohë që ditën e djeshme fëmijët kanë pritur më gjatë, çka ka sinjalizuar se diçka kishte ndodhur me 51-vjeçarin. Ai punonte si kamarier me kohë të pjesshme në një lokal në qytetin bregdetar.