Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka mohuar zyrtarisht autenticitetin e një fotografie që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ndodhet në një qeli burgu me kushte luksoze, përfshirë telefon dhe krevat dopio.
Në një deklaratë për Top News, institucioni thekson se imazhi nuk është shkrepur në asnjë nga ambientet e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale në vend.
“Fotoja ku pretendohet se shfaqet shtetasi Vangjush Dako nuk është realizuar në asnjë prej IEVP-ve (Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale) në territorin e Republikës së Shqipërisë,” thuhet në reagimin zyrtar.
Fotografia në fjalë është shpërndarë edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
Por autoritetet bëjnë thirrje për verifikim të burimeve dhe shmangie të spekulimeve që mund të dëmtojnë seriozitetin e institucioneve të drejtësisë.