Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatuar praninë mbi normë të mbetjeve të pesticideve në dy produkte të importuara nga Greqia: pjeshkë dhe rrush të kuq francez.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve rutinë të kryera në kufi dhe treg, u identifikuan mbetje të pesticidit Phosmet në sasi të tejkaluara në pjeshkët e ardhura nga Greqia. Edhe rrushi i kuq francez, i importuar nga i njëjti vend, rezultoi me përmbajtje të lartë të substancave të rrezikshme.
Të dy produktet janë vlerësuar si rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve dhe rasti është raportuar menjëherë në Sistemin e Shpejtë të Alarmit për Ushqimet dhe Ushqimin për Kafshët (RASFF) – rrjeti evropian për sigurinë ushqimore.
AKU ka urdhëruar subjektin përgjegjës të informojë të gjitha njësitë tregtare ku janë shpërndarë produktet, si dhe të organizojë tërheqjen nga tregu dhe kthimin e produkteve, në rast se ende ndodhen në qarkullim.
Në një tjetër rast, rrushi i kuq francez i importuar po ashtu nga Greqia, u analizua dhe rezultoi me pesticidin Propamocarb mbi normat e lejuara.
Ky produkt u gjet nga inspektorët në një supermarket “Spar” në Lezhë, me një sasi prej afërsisht 800 kg.
AKU ka ndërhyrë duke bllokuar sasinë e mbetur në treg dhe duke nisur procedurat për asgjësimin e tij. Edhe për këtë rast, është bërë njoftimi përkatës në sistemin RASFF.