Erion Isai i pandehur në SPAK! Zbulohen akuzat ndaj kryebashkiakut të Kolonjës

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, është marrë sot i pandehur nga SPAK.

Ai përballet me akuza për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, si edhe me çështje të tjera të rënda që lidhen me shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Zyrtarisht Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Isait akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë”, dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”.

Pas hetimeve të kryera mbi tenderat e shpallur nga Bashkia Kolonjë, ka rezultuar se shumica e tyre kanë qenë të paracaktuar. Po ashtu, raportohet se punimet e realizuara për këto tendera nuk janë përfunduar as me cilësinë e duhur, as sipas projekteve të miratuara nga Autoriteti Kontraktor.

Një rast konkret që përmendet është ai i rikonstruksionit të digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023. Dyshimet janë se punimet nuk janë kryer siç duhet, duke sjellë pasoja për cilësinë dhe standardet e punimeve publike në këtë zonë.