Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë akuza të forta në drejtim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një interviste në emisionin “Log” në News24.
Hoxha deklaroi se është kërcënuar në mënyrë të përsëritur, jo vetëm personalisht, por edhe nëpërmjet familjes, dhe se pas këtyre veprimeve qëndron vetë Veliaj, duke përdorur si instrument grupe kriminale dhe media të kontrolluara.
Duke komentuar zhvillimet në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku u propozua shkarkimi i Veliajt nga posti i kryebashkiakut, Hoxha e cilësoi seancën si një proces tërësisht të paligjshëm dhe të zhvilluar në mungesë të transparencës.
“E kam provuar në kurriz kush është Erion Veliaj. Jam sulmuar personalisht, është përfshirë familja ime, janë përdorur media dhe struktura kriminale. Nuk ka gjë që nuk ka bërë,” u shpreh Hoxha.
Ai theksoi gjithashtu se ishte e papranueshme që një vendim i tillë të merrej pa praninë e vetë Veliajt dhe kritikoi opozitën për qëndrimin pasiv në këtë proces:
“Veliaj duhej të ishte aty. E vunë përballë një procesi pa qenë prezent. Opozita duhet të kishte këmbëngulur për këtë. Të ndërpriste seancën nëse ishte e nevojshme, por të garantonte prezencën e tij,” shtoi ai.
Në përmbyllje, Hoxha ironizoi situatën duke thënë se Veliaj po përballet sot me pasojat e veprimeve të veta, duke u rrethuar nga këshilltarë që i ka përzgjedhur vetë.