Vëllai i Nuredin Dumanit bën deklaratën bombë pë vrasjen e Sandër Ndokës: Akuzon një politikan të fuqishëm si porositës

Fitim Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, ka hedhur dritë mbi një nga vrasjet më të bujshme e ende pa autor në Shqipëri – atë të Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Ma Shqip” të gazetarit shqiptar në SHBA, Flamur Vezaj, Dumani ka deklaruar se vrasja është porositur nga një figurë e lartë politike, e cila aktualisht ndodhet pas hekurave.

“Vrasja… aty do shohim se ku shkon SPAK-u,” – u shpreh Fitim Dumani, duke lënë të kuptohet se zbardhja e kësaj ngjarjeje do të jetë një provë kyçe për integritetin dhe guximin e Prokurorisë së Posaçme.

“Është porositur nga dikush që është shumë i madh këtu. E ke në burg,” shtoi ai, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një politikan.

Gjatë intervistës, Dumani mohoi përfshirjen e emrave të tjerë të përmendur publikisht në këtë vrasje, përfshirë edhe atë të Durim Bamit.

“Edhe këtë Durim Bamin që e ngatërrojnë, i bien më qafë kot. S’ka lidhje me atë ngjarje,” theksoi ai, duke shtuar se as grupet kriminale të njohura të Fushë-Krujës apo Shkodrës nuk kanë qenë të përfshira.

Deklaratat e Fitim Dumanit vijnë në vazhdën e dëshmive të vëllait të tij, Nuredin Dumani, i cili ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka dhënë informacione tronditëse për disa ngjarje kriminale në vend. Tre vite më parë, gazetari Artan Hoxha, në një paraqitje në emisionin “Opinion”, bëri publike dëshminë e Nuredin Dumanit para SPAK, ku përmendte emrin e ish-Presidentit Ilir Meta si porositës i vrasjes së Aleksandër Ndokës.

Sipas Hoxhës, Dumani ka dëshmuar se konflikti nisi gjatë fushatës elektorale në Qarkun e Lezhës në vitin 2017, dhe se ekzekutimi mafioz ndodhi menjëherë pas përfundimit të saj, në derën e shtëpisë së viktimës. Ngjarja, ndonëse e bujshme, mbetet ende pa autor, pavarësisht dëshmive të ofruara nga të penduarit e drejtësisë.

Deklarata e fundit e Fitim Dumanit i rikthen edhe njëherë vëmendjen publike dhe institucionale ndaj këtij rasti, duke shtuar presionin mbi SPAK për të hetuar më tej dhe për të zbardhur të vërtetën. Dumani ka shtuar gjithashtu se atij personalisht i është hequr mbrojtja nga shteti, duke ngritur pikëpyetje të tjera për sigurinë e dëshmitarëve kyç në procese të ndjeshme penale.

Ngjarja mbetet një provë e rëndësishme për institucionet e drejtësisë në Shqipëri, veçanërisht për SPAK, i cili tashmë gjendet përballë sfidës për të vërtetuar nëse është vërtet i pavarur dhe i aftë të godasë korrupsionin dhe krimin në nivelet më të larta.