Pas shpërthimit të fuqishëm me tritol që alarmoi Tiranën mbrëmjen e djeshme, ka reaguar Xhelal Mziu.
Ish-kryebashkiaku i Kamzës, shtëpia e së cilit ishte objektivi i shpërthimit, ka deklaruar se kjo është një hakmarrje politike nga ana e mazhorancës, pasi ai nuk ka konflikte të tjera.
Deputeti i Partisë demokratike theksoi se shpërthimi nuk shkaktoi dëme njerëzore, por pati dëme materiale.
Ai e cilësoi ngjarjen si një sinjal nga mazhoranca për të mbyllur gojën e opozitës për të mos folur për krimin dhe korrupsionin në qeveri.
“Mbrëmë rreth orës 00:55 pranë shtëpisë sime pati një shpërthim që fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz. Shumë njerëz e kanë dëgjuar shpërthimin e këtij tritoli. Pati dëme materiale. Jam i gëzuar qaë nuk pati probleme njerëzore as tek unë dhe as te kalimtarët. Nuk kam asnjë lloj konflikti me asnjë person gjatë gjithë karrierës time. Nuk kam asnjë borxh ndaj askujt. Unë e shoh një akti absolutisht politik, madje është sinjal për të treguar se nuk mundet që të sillesh apo të reagosh ndaj kësaj qeverie krimi e korrupsioni. Përveçse një hakmarrje politike, nuk e konsideroj gjë tjetër. Gjatë këtyre orëve, nuk gjejmë dot argument tjetër përvecse sinjalit për të na bërë një ushtar ndoshta të tyre dhe jo për të qenë një opozitë siç duhet por për të qenë një opozitë ndaj kësaj qeverie krimi e korrupsioni.”-është shprehur Mziu.