Tronditet Këlcyra: Njerku polic, kolegu i tij dhe një 46-vjeçar abuzuan seksualisht 16-vjeçaren. Historia e shantazhit për videon intime zbuloi gjithçka

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Këlcyrën ditën e sotme pasi një shantazhim për mos publikimin e një videoje intime, ka nxjerrë në pah abuzimin disa vjeçar të një vajze 16-vjeçare.

E mitura dyshohet se abuzohej nga njerku i saj me detyrë polic në komisariatin e Përmetit, 55-vjeçari me iniciale P.B. Nga hetimet e Prokurorisë së Gjirokastrës, Policisë së Gjirokastrës dhe AMP-së rezulton se vajza abuzohej nga njerku prej 3-vitesh.

Shqiptarja.com ka mësuar nga burime hetimore që 16-vjeçarja është ngacmuar seksualisht edhe nga një polic tjetër, Artur Ago 53 vjeç, koleg dhe shok i njerkut të saj. Polici i dytë është punonjës në Komisariatin e Policisë së Tepelenës.

Rasti i rëndë u mësua ditën e sotme pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga polici Ago. Pretendohet se ekziston një video për këtë raport intim.

Autoritetet identifikuan dy personat që shantazhuan policin Artur Ago, duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar në një emision investigativ një video që ata pretendonin për marrëdhënien intime të tyre.

Ata janë Kristian Prifti 46 vjeç dhe shoku i tij Isi Pasho 27 vjeç. 46-vjeçari Prifti u arrestua në Tiranë ditën e sotme. Ky i fundit ka pasur edhe vetë lidhje intime me të miturën 16-vjeçare.

Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, Kristian Prifti dhe Isi Pasho dyshohet se i kanë bërë presion 16-vjeçares, duke e kërcënuar dhe detyruar të zhvillonte një video-regjistrim në muajin Gusht 2025, me policin Artur Ago, ku shfaqej ky i fundit në momente intime.

Sipas Prokurorisë, dy shantazhuesit, duke përdorur 16-vjeçaren, kanë kanosur punonjësin e policisë, për publikimin e videos në një emision investigativ.

Polici Ago është shpallur në kërkim për ngacmimin seksual dhe dyshohet se ndodhet në Greqi, vend ku dyshohet se u largua pas skandalit në internet.