Gjuajtën shishe dhe libra në drejtim të Ramës/ PS kërkon dënimin e dy deputetëve të PD-së

Pas kaosit të shkaktuar ditën e sotme gjatë prezantimit të programit të ri qeverisës, Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit të Etikës në Parlament që të dënojë deputetët e PD-së.

Mazhoranca ka kërkuar që në mënyrë urgjente të mblidhet komisioni i Etikës dhe të merren masa disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Fidel Krekës.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi hodhi shishe uji dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të Ramës, ndërsa deputeti demokrat i sapozgjedhur Fidel Kreka e ka nisur dhunshëm mandatin e tij të parë si deputet pasi hodhi rregulloren e Kuvendit në drejtim të kryeministrit.

Seanca e sotme zgjati vetëm 20 minuta për shkak se deputetët e opozitës u revoltuan në momentin kur mori fjalën Diella, ministrja virtuale e Inteligjencës Artificiale. Sipas opozitës kjo është fyerje jo vetëm e qytetarëve por edhe ndaj Kushtetutës ku sipas tyre, Rama po sillet si “padron” i Kuvendit.

Pamjet e sotme kanë habitur dhe ambasadorët të cilët ishin të pranishëm, ku deputetët e PD në mënyrë të sinkronizuar qëllonin tavolinat për të mos lejuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama i cili do të shpaloste qëllimin dhe objektivat e qeverisë së re gjatë mandatit të katërt.