Dy javë pas ekzekutimit mafioz të 34-vjeçarit Kristian Kola në Shkodër, në emisionin Top Story është publikuar një video e momentit të vrasjes së të riut.
Pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen, tregojnë sesi autori me skafandër zbret nga ulësja e pasme e një motorri, i afrohet viktimës që ishte në këmbë në një lokal dhe e qëllon me gjakftohtësi.
Pasi e qëllon disa herë, ai kthehet për të kontrolluar nëse ka realizuar vrasjen dhe pasi e konfirmon, largohet me shpejtësi me motorr.
Në vendngjarje shihen qytetarët që vrapojnë në panik, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë tejet të populluar, ku gjithashtu sapo kishte ndaluar një autobuz me turistë.
Dyshohet se dy autorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu arratisur ndërsa autoritetet vijojnë hetimet.
Burime për mediat bënë me dije më herët se plumbat e kapën të riun në pjesën e gjoksit dhe fatkeqësisht rezultuan fatale. Po ashtu, nga informacionet e siguruara nga Policia e kryeqendrës së veriut, Kola nuk rezulton një person me precedentë të mëparshëm kriminal.
Motra e 34-vjeçarit Kristian Kola ka bërë një deklaratë të fortë duke thënë se policia ka gisht në vrasje. Akuza e fortë e motrës së viktimës duket se po i ndryshon rrjedhën ngjarjes ndërsa mbetet në dorën e autoriteteve për të zbardhur të vërtetën.
Teksa kërkon drejtësi për vrasjen e vëllait të saj, Mariza Kola u shpreh se 34-vjeçari nuk ka patur kurrë konflikte dhe familja nuk ka as ndonjë hasmëri.
Me lot në sy teksa thotë se “s’është e lehtë të fusësh djalin 34 vjeç në dhe”, Mariza Kola thekson se as babain e saj nuk e kanë lënë të shohin trupin e viktimës kur u transportua.