Si sot 1-vit më parë, opinioni publik do të tronditej nga lajmi për ndarjen nga jeta të politikanit Gerti Bogdani.
Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, bashkëshortja e tij Edlira Çepani e ka kujtuar Gertin nëpërmjet një statusi prekës në rrjetet sociale, ku rrëfen përjetimet pas ikjes së tij të parakohshme.
“1 vit pa ty Gert! Duket edhe si një përjetësi, por edhe sikur ishte dje që na dhe përqafimin e fundit… Çdo ditë e çdo vit pa ty do duket si një përjetësi, e do duket serish sikur të kemi aty në çdo moment! Dhimbja nuk kalon me kohën, thjesht na e lehtësojnë pak barrën njerëzit që na duan e tek të cilët gjejmë mbështetje dhe ngushëllim… Jemi të bekuar se kaq shumë njerëz na kanë dashur e na duan fort, kaq shumë miq nga e gjithë bota që të kujtojne me mall dhe respekt, e që sot janë sërish duke të kujtuar ty, si një dritë që ndriçoje zemrat e kujtdo që kishe pranë.”-shkruan aktivistja Çepani, duke i bërë gjithashtu një premtim bashkëshortit të saj të ndjerë.
“Ne do e vazhdojmë hap pas hapi misionin tënd, do t’i ngremë lart gjithë vlerat dhe kauzat për të cilat ti luftove fort, deri sa të kemi jetë! Të duam pafund e do jemi çdo ditë plot mall, deri ditën kur të takohemi sërish, drita jonë!