Tre vajza të moshës 3, 7 dhe 10 vjeç kanë përfunduar në Spitalin e Korçës mbrëmjen e sotme pasy dyshohet të jenë helmuar me disa karamele që i kanë gjetur pranë një koshi mbeturinash.
10-vjeçarja ndodhet në gjendje të stabilizuar, ndërsa dy vajzat më të vogla, 3 dhe 7 vjeç, janë shtruar në repartin e reanimacionit dhe po marrin trajtim në terapi intensive.
Mësohet se ka qenë babai që i ka gjetur ato në gjendje të rënduar pranë zonës ku luanin, afër një kazani plehrash. Ai i ka transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Korçës.
Pas deklarimeve të dhëna nga babai në prani të autoriteteve, policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshohet se fëmijët kanë konsumuar karamele që mund të kenë qenë të kontaminuara ose të përmbajnë substanca të rrezikshme për shëndetin.