Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Todi dhe Brunilda Ndini u paraqitën sot para trupës gjykuese të Gjykatës së Fierit për t’u njohur me masat e sigurisë ndaj tyre, pas ndalimit në kuadër të hetimeve për skemën mashtruese të investimeve përmes platformës “XUEX”.
Mes tyre, Emanuel Taullau, kamarier në lokalin “La Bonta” në Lushnjë, e kishte kthyer lokalin ku punonte në një pikë referimi për promovimin e platformës, ku qytetarë të shumtë janë joshur për të investuar shuma të konsiderueshme parash.
Sipas dosjes hetimore, Taullau dyshohet se ka qenë aktiv në përhapjen e kësaj skeme, duke ftuar persona të tjerë të regjistroheshin dhe të investonin në sistem, ndërsa në dokumente paraqitet si një nga ndërmjetësit më aktivë në zonën e Lushnjës.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishme edhe nëna dhe tezja e tij, të cilat reaguan me emocione të forta para mediave, duke deklaruar se nuk kishin dijeni për paligjshmërinë e kësaj veprimtarie dhe se paratë i kishin dhënë vetë për qëllime kursimi.
“Pse u arrestua çuni im? Nuk kishte koka më të mëdha aty? Drejtore, ekonomiste… të gjithë e dinë! Moj, unë vetë ia dhashë lekët. I thashë: luaj të kesh ndonjë lek për vete. Kishte dy-tre muaj që luante. Një milion i dhashë, fitim nuk morëm, dua vetëm të më vijë çuni. Nuk e dinim që ishte e gabuar”, u shpreh nëna e tij, ndërsa tezja tha se familjarët ishin të habitur nga arrestimi i Emanuelit dhe theksoi se ai ishte një djalë punëtor që nuk kishte pasur më parë përfshirje në veprimtari të dyshimta.
“Ne nuk dimë asgjë. Djali punonte, ishte kamarier. Avokatin e kemi marrë vetë. Dikush duhet t’i paralajmëronte që kjo ishte e gabuar”, tha ajo.
Hetimet për skemën “XUEX” po thellohen, ndërkohë që në kërkim vazhdojnë të jenë dy të dyshuarit kryesorë si drejtues të kësaj skeme – çifti Ereledio dhe Alma Shebeku – të cilët dyshohet se kanë ngritur një rrjet të mirëorganizuar për të mashtruar dhjetëra qytetarë dhe madje edhe punonjës të administratës në qytete si Lushnjë, Divjakë, Fier dhe Gramsh, përmes një sistemi që premtonte fitime të shpejta nga investimet online.