Mira Kazhani tregon betejën me sëmundjen e rëndë: “Ju rrëfej dimrin e jetës sime!”

Gazetarja e njohur Mira Kazhani si kurrë më parë, ka qenë sot vetë e ftuara speciale në podcast-in e suksesshëm që drejton prej rreth katër vitesh, ku ka rrëfyer për herë të parë betejën e saj me një sëmundje të rëndë.

Në një hapje tejet emocionale të episodit të fundit, Kazhani, e ulur përballë mikeshës së saj të ngushtë Anjeza Maja, ka rrëfyer për ndjekësit e saj se në nëntor të vitit 2024 ishte diagnostikuar me kancer gjiri.

“Besoj se ka ardhur koha ta ndaj publikisht dimrin e jetës sime. Një vit më parë në 2 nëntor të vitit 2024, mora lajmin që për çdo grua do të kthehej në makth. U diagnostikova me kancer në gji.”-shprehet gazetarja, dukshëm tejet e emocionuar.

“Kam kaluar një vit mes klinikave, spitaleve, terapive e të gjitha këto. Ajo çka keni parë ju nga unë online gjatë podcast-eve të ndryshme ka qenë vetëm gjysma ime. Gjysma tjetër zhvillohej në betejë. Në atë kohë zgjodha të hesht, të përqëndrohem tek shërimi im dhe të mos bëhem lajm në rrjet. Sot, ndihem mirënjohëse ndaj atyre kolegëve që e mësuan situatën time, por nuk e shpërndanë a bënë tituj për klikime.”-rrëfehet Mira Kazhani duke shtuar se as nëna asokohe nuk e dinin ç’po kalonte ajo.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by MIRA KAZHANI (@mirakazhanii)

Në vijim të rrëfimit, gazetarja tregon se zgjodhi që të mos e kalonte këtë eksperiencë të vështirë vetëm me një podcast apo një shënim. Ajo zbuloi se këtë moment transformues të jetës, e ka sjellë për publikun në një libër, të titulluar “Një ditë tjetër”.

Në libër, ajo përshkruan të gjitha përjetimet e saj si grua, paciente dhe gazetare.

“Kam hapur zemrën në këto faqe libri, diku edhe jam ndalur për të qarë, por më pas kam rinisur, siç po e bëj tani.”-thotë Kazhani e përlotur, teksa njofton se në podcast-in që publikohet të premten, pyetjet do t’ia bëjë pikërisht mikesah e saj, Anjeza Maja.