“Jeni gjobitur me 500 lekë…”/ AKSK ngre alarmin për mesazhin që u vjen qytetarëve në telefon: “Mos e klikoni linkun”

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur alarmin për një mesazh që synon të mashtrojë qytetarët Shqiptarë, duke pretenduar se kanë gjoba të papaguara.

AKSK bën me dije se mesazhi në fjalë që i mbërrin qytetarëve në telefon, përmban një link mashtrues për kryerjen e pagesave online. Autoriteti i bën thirrje qytetarëve që të mos e klikojn% linkun dhe të mos japin asnjë të dhënë persoanle, pasi rrezikohet që të dhënat të përdoren për aktivitete të jashtëligjshme.

Gjithashtu nënvizohet se AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes.

Njoftimi i plotë i AKSK:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se po qarkullon një mesazh “smishing” që synon të mashtrojë qytetarët me gjoba të rreme për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Mesazhi përmban një link mashtrues dhe kërkon kryerjen e pagesave online. Ky nuk është një komunikim zyrtar nga institucionet shtetërore dhe çdo qytetar që e merr këtë SMS duhet ta injorojë dhe të mos klikojë në link, apo të japë të dhëna personale.

AKSK ka ndërmarrë menjëherë masat për raportimin e bllokimit të faqes, për të parandaluar çdo dëm të mundshëm.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve:

Mos hapni linqe të dyshimta që vijnë nga SMS ose email-e jozyrtare.

Mos kryeni kurrë pagesa përmes faqeve që nuk janë domaine zyrtare.

Njoftoni menjëherë AKSK ose institucionet përkatëse nëse hasni mesazhe të tilla.