Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, do të rikthehet sërish në qeli pasi ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata.
Në seancën e mbajtur ditën e sotme, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin e tij me 4 vite burg për dy raste korrupsioni, vendim që rikthen në burg Dakon.
Në Nëntor 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, sipas pretencës së dhënë nga prokurori Sotir Kllapi. Mirëpo, Dako nuk e pranoi vendimin dhe apeloi.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i ulet 1/3 e dënimit, duke zbritur në 2.8 vite burg, të cilat sërish Vangjush Dako nuk pranoi t’i vuante në qeli. Pas kërkesave të përsëritura nga avokatët, ish-kryebashkiaku u dërgua në “Arrest shtëpie” deri në shqyrtimin përfundimtar të apelimit.
Zyrtari i lartë socialist akuzohet se bashkë me drejtuesin e Urbanistikës në Bashki dhe topografët, kanë zbardhur një leje 4 vite pasi pallati ishte ndërtuar.
Objekt hetimi kanë qenë dy fakte penale dhe më konkretisht, procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë.