“Të dy janë fajtorë, na lanë në rrugë!” Flet vajza e çiftit Nakoleci: “Qaj çdo ditë, është shumë e vështirë”

Rreth dy javë pas ngjarjes makabër në Volos ku Pandeli Nakoleci masakroi me thikë bashkëshorten 36-vjeçare Marjola Nakoleci, ka folur vajza e tyre e madhe.

Në një intervistë pë televizionin Mega në Greqi, 18-vjeçarja rrëfehet për përjetimet pas ngjarjes që i ndryshoi jetën.

“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në rrugë, nuk menduan fare për ne. Nëna ime kishte një mik, babai im ishte xheloz dhe kjo është arsyeja pse ndodhi sherri. Ky burrë po fliste me nënën time, mendoj se kishin qenë bashkë për një kohë, nuk e di, nuk mund të gënjej, kishin qenë bashkë për një kohë… Ai na u fut në rrugë dhe na shkatërroi të gjithë familjen”, tha 18-vjeçarja.

“U kisha thënë atyre: ‘Nuk dua që të ziheni, dua që të jeni bashkë përgjithmonë, të shihni fëmijët tuaj’. Nuk doja që kjo të ndodhte. Nuk e mendova kurrë”.

Sipas vajzës, para vrasjes ata kishin shkuar me pushime: “Kishim shkuar me pushime, kaluam shumë mirë dhe pas dy ditësh ndodhi e papritura. Para se të shkonim me pushime ata u grindën, filloi me një mesazh, babi i pa mesazhet në celular”.

“U lënduan shumë për nënën time, mund ta mallkojnë shumë edhe babin. Por nuk është vetëm faji i babit, është edhe faji i nënës sime. Të dy janë fajtorë. Të dy bënë gabime. Dhe nëna ime bëri gabime dhe babi gaboi që vrau një grua që e donte aq shumë dhe kishte katër fëmijë”, përsëriti ajo.

Vajza ka folur edhe për ditën e ngjarjes, duke dhënë detajet sesi e ka marrë vesh atë që kishte ndodhur.

“Vëllai im më telefonoi dhe më tha “eja shpejt, kjo ndodhi, kjo ndodhi”. Shkova dhe pashë gjithçka. Ai më tha: “Babi vrau mamin.” Unë ende i kam ato zëra në celularin tim.”

Sipas Anastasias, kur babai i saj po fshihej në një copë tokë dhe autoritetet po e kërkonin, ai e telefonoi dhe i tha “Nuk doja, nuk doja ta bëja këtë”. “Mami i kishte thënë shumë dhe babi po mendonte gjëra të ndryshme dhe e bëri”, tha 18-vjeçarja.

Anastasia tha se kjo ishte e vetmja herë që kishte folur me të atin në telefon dhe kur u pyet nëse do ta vizitonte në burg, ajo u përgjigj: “Nuk e di nëse dua ta shoh. Dua shumë, por do të doja që edhe nëna ime të ishte atje”.

E lënduar nga tragjedia, vajza tregoi për gjendjen e saj tanimë që nuk ka asnjërin prej prindërve pranë.

“Më mungon mami im. Mendoj për këtë. Qaj çdo ditë, por dua ta kaloj pak. Shoh fotot dhe nuk mund ta besoj. Jam shumë keq, por po përpiqem të shërohem. Është shumë e vështirë të jetosh pa nënë dhe baba”, rrëfeu ajo.