Pak javë nga aksidenti tragjik ku humbën jetën motrat Dhimaku nga Delvina, babai i tyre ka rrëfyer bisedën e fundit me të bijat.
Në një letër nga ai që u lexua nga Bora Zemani në emisionin “Për shqiptarët”, Riza Dhimaku tregon për dhembjen dhe momentet e fundit me Elvisën dhe Rozinën, të cilat sipas tij, mund të kenë pasur një parandjenjë.
“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë, vetëm një mbrëmje me mua. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E dinin që do shkoja në stan, në mal, ku rrija më shumë se një muaj. Ndoshta e ndjenin diçka, një parandjenjë që unë e injorova”, shkruan babai i të ndjerave.
“Nuk pranova. Jo se nuk i doja por se nuk munda ta harxhoja lekët e vajzave të nxjerra me aq sakrifica. Ishim në luftë me leuçeminë e djalit të vogël, Islit. Dhe mendova se ishte më mirë të kurseja. Silueta e tyre më është ngulitur në mendje e shpirt. Qëndronin te dera, të heshtura me kokën ulur. I përshëndeta me dorë dhe humba pas kthesës së rrugës. Ngjita malin në këmbë, drejt stanit, 3 orë ecje mes ferrave, shkurreve në terrenin e thepisur. Ishte ora 20:30 kur më ra telefoni. Një zë i trazuar më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. M’u ngri zemra. Elvisa dhe Rozina, a janë mirë? A janë gjallë?”
Vrapova nëpër natë, në terr, nëpër gurë e humnera për të mësuar të vërtetën. Nuk më mbante më toka, më mbante vetëm dhimbja. Në gjysmën e rrugës, një therje më çau kraharorin, si një parandjenjë tragjedie. Pas vetëm dy minutash, një tjetër telefonatë. E hapa me duart që më dridheshin e atë zë s’do e harroj kurrë: Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë”. Në atë natë të zezë, mes askundit, humba gjithçka. U ula aty, nuk doja të ngrihesha më. Zbritjen nga mali që zgjat tre orë, e bëra për një orë e gjysmë i shkatërruar, por i gjallë për të parë vdekjen me sytë e mi.”-tregon ai.
Motrat kishin marrë një tezgë këtë vit e punonin si shitëse ambulante në Sarandë, shisnin shishqebap, bukë me qofte e misra dhe çdo para të fituar, e jepnin për kurimin e vëllait 7 vjeçar.
Elvisa dhe Rozina Dhimaku u shuan mbrëmjen e 24 gushtit në një aksident në aksin Sarandë-Delvinë, pasi një 23-vjeçar i dehur përplasi makinën e tyre teksa ecte kundravajtje.
E dërrmuar nga fatkeqsia, familja e tyre po lufton për kurimin e djalit 7-vjeçar me leuçemi.
Rasti i tij është marrë përsipër nga fondacioni Firdeus, që e ka dërguar në Itali për trajtim të specializuar.