Vendi i parë në botë me një ministre virtuale/ Mediat e huaja për Diellën: “Do të luftojë korrupsionin”

Media të shumta ndërkombëtare si Reuters e Politiko kanë shkruar ditën e sotme për ministren e parë në botë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që do të jetë pjesë e kabinetit Rama 4.

“Një ministre e re në Shqipëri, e ngarkuar për të trajtuar prokurimet publike, do të jetë e papërshkueshme nga ryshfetet, kërcënimet apo përpjekjet për të fituar favore. Kjo është sepse Diella, siç quhet ajo, është një bot i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Kryeministri Edi Rama, i cili është gati të fillojë mandatin e tij të katërt, tha të enjten se Diella, që do të thotë “diell” në shqip, do të menaxhojë dhe japë të gjitha tenderët publikë në të cilët qeveria kontrakton kompani private për projekte të ndryshme.”-shkruan Reuters për risinë e qeverisë së re.

Dhënia e këtyre kontratave ka qenë prej kohësh një burim skandalesh korrupsioni në Shqipëri, një vend ballkanik që ekspertët thonë se është një qendër për bandat që kërkojnë të pastrojnë paratë e tyre nga trafiku i drogës dhe armëve nëpër botë, dhe ku korrupsioni ka arritur deri në korridoret e pushtetit.

Kjo imazh ka ndërlikuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një objektiv që Rama synon ta arrijë deri në vitin 2030, por që analistët politikë e konsiderojnë ambicioz.”-shkruan Reuters për risinë e kabinetit të ri qeveritar.

Sipas Ramës, Diella do të ndihmojë në çngurtësimin e administratës publike dhe do të jetë 100% e pakorruptueshme.

“’Diella’, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga Inteligjenca Artificiale e një qeverie, do ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e AI në proceset qeverisëse dhe një mandat të posaçëm për të shembur frikën e paragjykimeve dhe ngurtësisë së administratës.

Dje në mbledhjen e fundit të qeverisë së tretë, u mor dhe vendimi i fundit, për nxjerrjen  e tenderave jashtë nga ministritë. Në mandatin e katërt, duhet bërë “Diella” shërbyesja e prokurimeve publike, të cilat duam t’ia kalojmë hap pas hapi AI-së, duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publik janë 100% të pakorruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100% i lexueshëm.

Kjo nuk është fantashkencë, por detyrë e “Diellës”. Mandati i “Diellës” nuk do të ketë as kufij gjeografik, as kufij kombësie dhe struktura në mbështetjen e saj do të ketë të drejtën të punësojë këtu talente nga e gjithë dynjaja, tha kryeministri.