Si e shkeli Rama Kushtetutën me ministren e tij “100% të pakorruptueshme” dhe të errëtat e Diellës

Gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Rama njoftoi sot lajmin e bujshëm të emërimit të ministres të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, Diella, që do të merret me prokurimet publike me qëllim shmangien e aferave korruptive që prej vitesh kanë lulëzuar në këtë sektor.

Ky lajm ishte sot në titujt e disa mediave botërore, duke dëshmuar dhe njëherë aftësitë e kryeministrit për të kapur titujt e mediave prestigjioze globale me inovacione të sforcuara, siç është objektivi për të zhdukur paratë cash brenda vitit 2030, ndërkohë që mosha e tretë (dhe jo vetëm) ende vuan me procedurat e komplikuara të e-albania.

Megjithatë, në emërimin e ministres së parë virtuale në botë, në një vend si i yni që është ende larg të qenit inovator veçanërisht në sektorin e teknologjisë apo inteligjencës artificiale, Rama duket se “ka harruar” disa gjëra thelbësore.

Së pari, me vendimin për të emëruar ministër një robot virtual të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, kryeministri ka shkelur Kushtetutën e Vendit.

Njohës të legjislacionit shqiptar bëjnë të ditur për Domino.al se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e vendit përcaktojnë se ministrat janë persona fizikë, njerëz që kanë statusin e shtetasve shqiptarë, me të drejta dhe detyra juridike.

Neni 103/1 thotë: “Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.”
Cilësitë për deputet sipas Kushtetutës janë: të jesh shtetas shqiptar, të gëzosh të drejtën e zgjedhjes dhe të mos jesh i përjashtuar nga kandidimi (p.sh. për shkak të dënimeve të caktuara).

Rrjedhimisht, një robot nuk mund të mbajë postin e ministrit, duke qenë se nuk mund të mbajë përgjegjësi ligjore, as nuk ka të drejta apo detyra në kuptimin ligjor, e as të drejtë zgjedhjeje.

Por përtej shkeljes së Kushtetutës, vendimi ekzotik i kryeministrit i cili flet me bindje për Diellën “100% të pakorruptueshme”, fsheh të errëta të tjera.

Burimet e Domino.al shprehen se transparenca do të jetë një sfidë e vërtetë në këtë angazhim të Ramës, pasi ajo që prezantohet si një mjet neutral, në thelb kontrollohet nga njerëzit që e programojnë atë, duke bërë thjesht një zhvendosje të zyrës ku potencialisht mund të kryhen aferat korruptive.

Duke qenë se me këtë vendim kryeministri  dëshmoi se nuk ka mjaftueshëm njerëz të pastër në qeveri dhe administratë për të drejtuar këtë sektor, çfarë na bën të mendojmë se programuesit e Diellës do të jenë kaq të kulluar?

Një tjetër fakt shqetësues është ai i sigurisë kibernetike, pasi një sistem i tillë është në rrezik konstant hacker-imi, apekt që ekspertët e administratës kanë dëshmuar disa herë që nuk e zotërojnë në mënyrën e duhur, aq sa për të marrë përsipër iniciativa kaq madhore.

Mjafton të kujtojmë rrjedhjet e vazhdueshme të të dhënave të qytetarëve apo sulmet kibernetike ndaj e-albania, për të kuptuar që Diella, më shumë sesa një ministre futuristike, ka gjasë të jetë thjesht më shumë një kukull për t’u shfaqur nëpër tituj sesa një zgjidhje reale për problemet e korrupsionit në vend.