Meri Kaçerri, 25-vjeçarja e cila mbeti e plagosur në atentatin e dy ditëve më parë në Shkodër, ndodhet ende në spital ku pret t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra në pjesën e krahut.
Në pamundësi për të përballuar kostot e ndërhyrjes dhe rikuperimit të saj, familja e së resë ka bërë apel për ndihmë duke çelur një llogari GoFundMe, për të mbledhur fondet e nevojshme .
“Situata është shumë delikate dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, operacione dhe trajtime që shoqërohen me shpenzime të konsiderueshme, ndaj, me vështirësi të madhe, por me dorën në zemër, ju drejtohemi juve, miqve, të njohurve dhe çdo zemre të mirë që mund të japë një dorë.
Çdo kontribut, sado i vogël, është një hap drejt shpresës, shërimit dhe rikthimit të Merit në jetën e saj të zakonshme.
Mirënjohja jonë është e pafund për çdo mbështetje, qoftë ajo financiare, shpirtërore apo edhe thjesht duke ndarë këtë fushatë me të tjerët.
Le ta ndihmojmë të gjithë bashkë Merin që të ngrihet përsëri në këmbë”, shkruhet në njoftimin e familjarëve..
25 vjeçarja ndodhej duke punuar si kameriere në lokalin në qendër të Shkodrës kur u lëshuan plumbat drejt tavolinës së Erogen Vaso (Brajoviç), që ishte dhe shënjestra. Nga atentati mbetën të vrarë dy miqtë e tij, ndërsa vetë ai dhe kamerierja u plagosën.
Top Channel bën me dije se e reja është në gjendje stabël dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është e nevojshme një ndërhyrje në krah, aty ku ka marrë plagë, për shkak se ka fraktura.
E reja po trajtohet në spitalin e Traumës në Tiranë.