Skandali me domatet e kontaminuara: Arrestohet pronari i kompanisë dhe dy inspektorët e AKU

Pas kthimit nga Kroacia të një ngarkese me domate të kontaminuara të cilat përbënin rrezik pë sigurinë ushqimore, prokuroria e Beratit ka urdhëruar arrestimin e pronarit të kompanisë që prodhon domatet dhe dy punonjës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Në pranga janë vënë Mariglen Qorri, 40-vjeç, administrator i kompanisë “Era Fruit”, Ronaldo Lika 27 vjeç dhe Griselda Doksani 25 vjeçe. Punonjësit e AKU janë vënë në pranga pasi dyshohet se  kanë miratuar certifikata kontrolli pa ndjekur procedurat përkatëse.

Sipas Prokurorisë së Beratit, Qorri ka përdorur një faturë fiktive të lëshuar në emër të një fermeri, e cila më pas është përdorur për procedurat doganore dhe raportin e gjurmueshmërisë të përpiluar nga AKU Berat, me qëllim shmangien e përgjegjësisë për produktin që ka prodhuar dhe më pas treguar.

Dy inspektorët e AKU-së, pas marrjes së njoftimit nga sistemi RASFF, kryen më 29 gusht një inspektim në subjektin në fjalë, ku kanë marrë si të mirëqenë faturën fiktive të lëshuar nga pronari, duke ndryshuar faktet mbi origjinën e produktit dhe duke penguar hetimet. Për më tepër, inspektorët e sigurisë ushqimore kanë deklaruar se në magazinën e subjektit “Era Fruit” nuk kishte asnjë sasi domateje.

Pronari i subjektit është vënë nën akuzë për veprat penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.