Fotoreporteri Jetmir Muji është vënë në pranga në Prishtinë pasi ka filmuar në shkollën private ku studiojnë vajzat e presidentes Vjosa Osmani.
Osmani ka thënë se vajzat e saj të mitura “po përndiqen” dhe se sot janë filmuar pa autorizim.
Për ngjarjen ka reaguar Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka dënuar arrestimin e Mujit, gjatë realizimit të xhirimit për familjen presidenciale Osmani.
AGK tha se mbrojtja e afërt e presidentes Osmani ka ndaluar arbitrarisht fizikisht kameramanin, i cili po xhironte në një shkollë private ku e para e shtetit dërgon dy vajzat e saj.
Ai është mbajtur në mënyrë të paligjshme nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt për disa minuta, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshihet xhirimi. Mediat e Kosovës bëjnë me dije se pas disa orësh në stacionin policor, Muji është lënë i lirë.
Sakaq ka reaguar dhe vetë presidentja, e cila ka deklaruar:
“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëve të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”.
“Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë”, thuhet në reagimin e Osmanit.