Gjenerata Z ka rrëzuar qeverinë në Nepal, pas disa ditësh proteste të dhunshme që kanë shënuar 22 të vdekur dhe qindra të plagosur.
Kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen të martën pas trazirave më të rënda që ka përjetuar vendi në dekada.
Protestat, të udhëhequra nga të rinj të moshës 13 deri në 28 vjeç – brezi i njohur si “Generation Z” – shpërthyen pas ndalimit të rrjeteve sociale nga qeveria, akuzave për korrupsion të përhapur dhe mungesës së mundësive ekonomike.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, forcat e sigurisë përdorën municion të vërtetë, topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në disa qytete.
Protestuesit i kanë vënë flakën dhe shtëpisë së ish-kryeministrit të vendit, ku bashkëshortja e tij, Jhala Nath Khanal, ka humbur jetën pasi është djegur e gjallë.
Nepali, një vend malor me rreth 30 milionë banorë, është i njohur për një histori politike të trazuar. Që prej shpalljes së republikës në vitin 2008, pas përfundimit të një lufte civile dhjetëvjeçare dhe rrëzimit të monarkisë 239-vjeçare, vendi ka pasur më shumë se një duzinë qeverish.
Në një letër dorëheqjeje të postuar nga një këshilltar i afërt në rrjetet sociale, Oli përmendi “situatën e jashtëzakonshme” si arsye për largimin e tij.