Dy të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i atentatit mafioz që tronditi qendrën e Shkodrës mëngjesin e kësaj të hëne.
Viktimat janë identifikuar si Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak pranë bashkisë së Shkodrës dhe ish-punonjës i IMT, si dhe i riu Liridon Kraja, shoqërues i Erogen Vasos, i cili dyshohet të ketë qenë shenjestra e atentatit.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital, ashtu si edhe kamarierja e lokalit e cila është goditur nga plumbat.
Erogen Vaso (Brajovic), është vëllai i Denis Brajoviç, të ekstraduar pak kohë më parë nga Emiratet e Bashkuara.
Brajoviç dyshohet se ka vrarë Gjon Boriçin në gusht të vitit 2020.
Ai u zbulua në përgjimet e “Metamorfozës”, ku pas vrasjes, Erogen Brajoviç komunikoi me me Ervis Martinajn dhe Behar Bajrin.
Autori dyshuar i ngjarjes është identifikuar si Ragip Gila.
Policia ka mundur ta vërë në pranga në zonën e njohur si “Zalli i Kirit”, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Pas krimit, Gila është larguar nga lokali me një makinë tip “BMW”.
Rrugës ka bërë një aksident me një makine tjetër dhe ka tërhequr vëmendjen e policisë pasi ishte ende me skafandër.
Policia i është vënë në ndjekje dhe në zonën e lumit të Kirit, ai ka lënë makinën për t’u larguar në këmbë bashkë më armën në krahë.
Pas rrethimit, Gila është dorëzuar.
Ai nuk është një emër i panjohur për Policinë.
Në vitin 2023, ai ishte arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, pasi në banesën e tij u zbulua një bazë e pajisur me mjete të përdorura zakonisht nga grupet kriminale.
Në banesën e 26-vjeçarit (atëherë) Rakip Gila, u gjetën dhe sekuestruan 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, një kokore metalike, një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme. Gjithashtu, u kap dhe një sasi e lëndës narkotike që dyshohet të ketë qenë kanabis.
Për këtë rast, Gila u procedua për disa vepra penale, përfshirë “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.