Dalin detajet e ekzekutimit në Shkodër/ Autorët i zunë pritë viktimës teksa pinte kafe. Miku i shpëtoi plumbave

Një ditë pas ekzekutimit të Kristian Kolës në Shkodër, kanë dalë në dritë detaje nga ngjarja.

Në momentin e vrasjes, viktima ka qenë duke pirë kafe në katin e parë të një hoteli pranë “Kinema Republika” së bashku me një mikun e tij.

Dy persona të maskuar që lëviznin me motor hapën zjarr ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa personi tjeter që ishte ne tavolinë me të nuk u prek nga plumbat.

Motivi i vrasjes mbetet i panjohur, pasi viktima nuk kishte konflikte apo precedentë penalë të rëndë. Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe po kontrollon kamerat e sigurisë për identifikimin e autorëve.

34-vjecari i cili punonte në ndërtim, në një brigatë që e drejtonte i ati, nuk kishte precedentë penalë, por hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë qenë i përfshirë më parë në një konflikt, por kjo pistë po verifikohet.

Dy atentatorët me motor u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ngriti postblloqe në gjithë qytetin dhe zonat përreth dhe po vazhdon me kontrollin e kamerave të sigurisë për identifikimin e tyre.

Përsa i përket mënyrës së ekzekutimit, ende nuk është konfirmuar nëse arma e përdorur kishte silenciator.

Burime nga policia thanë se dëshmitarët afër hotelit kanë dëgjuar krisma, por zhurma ishte e lehtë, çka bën hetuesit të dyshojnë se është përdorur armë gjysmë silenciator.

Mësohet se ndaj viktima u qëllua rreth 7-8 herë, duke treguar qartësisht se objektivi i atentatit ishte vetëm Kola, pasi personi pranë tij në tavolinën që shihni në pamje, nuk pësoi asnjë lëndim.

Policia ka marrë në pyetje familjarët po ata nuk kanë dhënë asnjë dëshmi të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

Megjithatë, hetimet vijojnë intensivisht nga grupi i posaçëm hetimor, duke përfshirë mbledhjen e dëshmive, analizimin e pamjeve të sigurisë dhe intervistimin e personave që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.