Bashkim Sulkaj, 66 vjeç, nga Fieri dhe banues në Tiranë, dhe Astrit Delilaj, 67 vjeç, janë arrestuar nga autoritetet greke si pjesë e një rrjeti të gjerë kriminal që merrej me kontrabandën dhe manipulimin e karburanteve në disa vende të Ballkanit.
Hetimet, të cilat janë shtrirë në të gjithë territorin e Greqisë, kanë përfshirë bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese shqiptare, për shkak të lidhjeve të forta të rrjetit me Shqipërinë.
Bashkim Sulkaj rezulton pronar me 100% të aksioneve i kompanisë “ABBA OIL” me seli në fshatin Libonik të Maliqit, ndërsa Astrit Delilaj ishte i punësuar si shofer i tij.
Sipas raportimeve mediatike greke, Bashkim Sulkaj është një emër i njohur në industrinë e karburanteve, me biznese aktive në Tiranë dhe Maliq, por edhe me lidhje të dokumentuara në qytetin e Selanikut.
Dosja hetimore e autoriteteve greke e përshkruan atë si një nga drejtuesit kryesorë të një organizate kriminale të krijuar nga shtetasi grek Thomas Stefanakos në fillim të vitit 2025. Struktura e rrjetit përfshinte bashkëpunëtorë në Shqipëri, Bullgari dhe Poloni.