Nga Velipoja në Lukovë, ja cilat janë plazhet më të pastër dhe më të ndotur në vend: Befason Ksamili

Një raporti i publikuar së fundmi nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka zbuluar se 26.8% e plazheve në vend janë të ndotur.

Edhe pse kjo shifër është më e ulët krahasuar me vitin 2023, sipas Agjencisë, shqetësim serioz mbetet derdhja e ujërave të ndotura të bizneseve në lumenj apo direkt në det përmes kanaleve të hapura prej tyre.

“Burimet e ndotjes së ujërave të larjes janë numri i larte i pushuesve sidomos ne pikun e sezonit por dhe gjate muajit shtator, derdhja e ujërave sipërfaqësore dhe shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, si dhe prania e mbetjeve urbane inerte”, thuhet në raport.

Plazhet me cilësi më të mirë për vitin 2024 janë vlerësuar ato në Lukovë, Palasë, Drimadhe, Dhërmi, Jalë, Livadh dhe Borsh duke vijuar me plazhet Shëngjin, Tale, Gjiri i Lalzit, Seman e Derëzezë, Divjakë, Zvërnec, Orikum.

Ndërsa me cilësi jo të mirë ku duhet të merren masa të menjëhershme janë Velipojë, Durrësi, Kavajë, Qerret, Spille, Vlorë, Himarë, Qeparo, Sarandë, Ksamil dhe Lin-Pogradec.

Aktualisht në vend janë vetëm 14.6% e plazheve me cilësi të shkëlqyer (stacioni Spille Djathtas, stacioni Plazhi Lame Borshi, Plazhi i Palasës, Drimadhes etj.), në rënie krahasuar me 2023-shin kur kjo shifër ishte 27.8%.

Kurse plazhe me cilësi të mirë janë 43.6% në rritje në raport me 2023. Sipas raportit ka rënë sipërfaqja e plazheve të shkëlqyera dhe janë rritur ato me cilësi të mirë.