Nga janari, Operator Kombëtar për ujin! Heqje lirie për ata që vjedhin ujë

Gjatë prezantimit të reformës për rrjetin e shpërndarjes dhe prezantimit të Operatorit të Ujit, kryeministri Edi Rama ka dhënë ultimatumin se do të ketë heqje lirie për këdo që vjedh ujin.

Në fjalën e tij, Rama kritikoi hapur 58 ndërmarrjet e shpërndarjes së ujit, të cilat i quajti “çeta”. Fragmentimin në emër të decentralizimit, kryeministri Rama e quajti katastrofë të vërtetë ndërsa vlerësoi reformën e vitit 2021 që 58 ndërmarrjet i shkriu në 15 shoqëri rajonale.

Sipas kryeministrit, ata që vjedhin ujin do ta pësojnë njëjtë si ata që vidhnin energjinë elektrike. Krahas Operatorit Kombëtar, qeveria do të hartojë një plan masash, që parashikon ngritjen e një Task Force dhe masa deri në heqje lirie për abuzuesit, kryesisht për ata që vjedhin për qëllime fitimi.

“Ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vodhën energjinë elektrike. U tregua një përrallë e gjatë që u kthye në një të vërtetë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë. Jo nuk është e vërtetë. Atyre iu pre energjia se një gjë është të mos e paguash dhe një gjë është ta vjedhësh. Siç krijuam Task forcën e energjisë, do krijojmë edhe atë të ujit”, tha Rama.

“Një gjë është të mos e paguash dhe një gjë ta vjedhësh. Një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je një klient i regjistruar, një gjë është të fusësh tubin te kanali kryesor i furnizimit dhe të vadisësh me ujë të pijshëm bahçen dhe të furnizosh lavazhin“, u shpreh më tej ai.