Disa muaj pas bllokimit të ngarkesave me mandarina dhe speca për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve, Kroacia ka bllokuar sërish një ngarkesë me pjeshkë nga Shqipëria.
Raportohet se frutat kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të nikelit, çka i bën të rrezikshme për shëndetin.
Lajmi është konfirmuar në faqen online të Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) të Komisionit Europian.
Zbulimi i këtij rasti nga autoritetet europiane është bërë në datë 21 gusht 2025.
Në njoftim thuhet se frutat kishin “përmbajtje të lartë nikeli” dhe “përbëjnë një rrezik potencial” për konsumatorët.
Ende nuk dihet se cila ka qenë kompania që ka eksportuar pjeshkët nga Shqipëria drejt Kroacisë, ndërkohë nuk ka ende asnjë reagim nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ndonëse rasti daton që në gusht.
Nuk dihet ende nëse këto pjeshkë janë hedhur në treg edhe në Shqipëri. Rasti i fundit ngre sërish alarmin për sigurinë ushqimore në vendin tonë, ku konsumatorët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe shpesh, janë të fundit që njoftohen për këtë.