Një hetim për lojrat e fatit në qytetin e Beratit ka hedhur dritë mbi aktivitetin e jashtëligjshëm të të birit të ish-drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, çka ka zbuluar dhe kundravajtje ligjore të ish-zyrtarit.
Pandeli Shulla, i biri i ish-drejtorit të SHISH Aleksandër Shulla, ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojrave të fatit në Berat dhe gjatë kontrollit, siç raporton Top Channel, i janë gjetur dhe të dhëna të klasifikuiara në posedim të babait të tij.
Gjatë kontrollit u gjet një USB që përmbante të dhëna të kategorizuara, si të dhëna për policinë kriminale të tetorit 2008 dhe departamentit të hetimit kundër krimeve të rënda dhe databazë për automjetet.
Në dosjen e prokurorisë janë zbardhur edhe bisedat e djalit të drejtorit të SHISH, Pandeli Shulla, i cili në një komunikim me një person tjetër për lojërat e fatit, thotë “Ka lëvizje nga bixhozi”, “për bizhozi shqiptarët”-ia kthen personi tjetër, ndërsa Shulla i thotë “bixhoz dhe drogë”.
Në një bisedë tjetër, Pandeli Shulla thotë “punon plaku në SHIK, është drejtor jo në terren”-referuar të atit të tij.
Bashkëbiseduesi i thotë: “Prandaj mban lokal me lojëra fati ti”, dhe Pandeli Shulla ia kthen “Po pse ça e di ti duhet një çik korrupsion brenda familjes”.
Aleksandër Shulla akuzohet gjithashtu për mbajtjen pa leje të municioneve luftarake, ndërsa djali i tij, Pandeli Shulla akuzohet për organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin.