Incident me avionin e Ursula von der Leyen: Hakerat rusë ndërhyjnë në sistem, piloti bën ulje vetëm me harta të printuara

Avioni i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i nisur nga Varshava, u detyrua të ulej në Bullgari duke përdorur vetëm hartat e printuara (të ruajtura si PDF në tabletë), për shkak të një sulmi të dyshuar rus që nxori jashtë funksionit sistemin GPS gjatë së dielës.

Kështu shkruan Financial Times, duke cituar tre burime të informuara. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Eurocontrol, agjencia evropiane që mbikëqyr trafikun ajror, si dhe nga platformat që monitorojnë këto raste.

Von der Leyen udhëtonte nga Varshava në Plovdiv të Bullgarisë, kur pilotët, gjatë zbritjes, nuk mundën të përdornin sistemet elektronike të navigimit që ndihmojnë në një ulje të saktë dhe të sigurt, pavarësisht motit.

Zyrtarët e përshkruan rastin si një “ndërhyrje ruse”.

“E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS,” tha njëri prej tyre për Financial Times.

Pas 20 minutash manovra mbi aeroport, piloti të ulej “manualisht”, duke përdorur hartat klasike të fluturimit, të cilat gjithmonë mbahen në kabinën e pilotit për raste emergjente.

 

 

Platformat e monitorimit tregojnë se më 31 gusht, zona pranë Plovdivit ishte goditur nga një sulm ndaj sinjaleve radio, çka me shumë gjasa e detyroi pilotin të përdorte hartat.

Von der Leyen udhëtonte me një Dassault Falcon 900LX, një avion privat i aftë për fluturime ndërkontinentale, i marrë me qira nga një kompani në Bruksel.