Stuhia e paralajmëruar për këtë të shtunë ka shkaktuar panik e probleme të mëdha në qarkullim në të gjithë vendin.
Në kryeqytet, era e fuqishme ka shkulur pemë e ka rrëzuar objekte nga tarracat e shtëpive dhe pallateve, ndërkohë që në Lanabregaz është djegur një transformator që ka lënë pa drita prej 9 prësh zonën e Linzës, siç raporton Balkanweb.
View this post on Instagram
Në Vlorë erërat e forta shkaktuan dallgë në zonën bregdetare, duke krijuar vështirësi në lëvizjen pranë vijës së detit dhe në qarkullimin rrugor si edhe probleme për shkak të ujëmbajtjes në disa akse. Lundrimet detare janë kufizuar për shkak të kushteve të motit.
Në Lezhë, për shkak të stuhisë pati përmbytje në disa zona kryesore, mes tyre në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen Besëlidhja. Niveli i ujit ka arritur deri në 30 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Situata e rënduar nga moti i keq solli ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, edhe në zonën turistike të Shëngjinit. Për shkak të motit shumë pushues u larguan nga plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit, duke krijuar trafik të rënduar në akset Shkodër–Lezhë dhe Lezhë–Milot.
Me të njëjtat problematika është përballur edhe zona e Durrësit.
Moti i keq përfshiu edhe Juglindjen e vendit. Reshje të dendura pati në Korçë, ndërsa në Pogradec, përgjatë shëtitores disa pemë janë thyer por pa dëme në njerëz e automjete.
Në aksin rrugor Burrel- Milot, reshjet shkaktuan rrëshqitje gurësh, duke bllokuar trafikun dhe krijuar rrezik për përdoruesit e saj, një fenomen përsëritet sa herë që ka reshje.