Në kuadër të operacionit “Foresta”, policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 26.5 mln euro, në pronësi të Kristian Konit, 45-vjeçari i dënuar nga drejtësia italiane për vrasje me paramendim dhe për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në operacionin e drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ekzekutuan vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Kristian Koni, alias O. M., 45 vjeç.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 19 prona të paluajtshme, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të tij ose të familjarëve. Hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.