Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e së martës në murin rrethues të një shtëpie në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushë Kuqe, Kurbin, objektiv i së cilës sipas Balkanweb mendohet të ketë qenë këngëtari Jozefin Marku.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të banesës së shtetases M. D. (alias M. B.) është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar si artizanale.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor. Nga këqyrja paraprake u konstatua se porta ishte dëmtuar lehtë si pasojë e shpërthimit.
Gjatë kontrollit në perimetrin përreth banesës, hetuesit gjetën dhe sekuestruan disa gëzhoja, të cilat sipas policisë janë në dukje të vjetra dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale.
Ende nuk ka detaje për përfshirjen e këngëtarit në këtë ngjarje. Jozefin Marku i njohur si Jozi, u bë i famshëm në reality show-n Big Brother Albania, nga ku u përjashtua pasi ushtroi dhunë ndaj njërit prej konkurrentëve.