Është i rrezikshëm për shëndetin: Nga 1 shtatori BE-ja ndalon përdorimin e xhelit të thonjve

Nga 1 Shtatori, përdorimi i disa llojeve të xhelëve për thonj do të ndalohet në të gjithë Bashkimin Evropian, si pasojë e shqetësimeve lidhur me një kimikat të dyshuar për toksicitet, i cili dëmton sistemin e riprodhimit.

Bëhet fjalë për TPO-në (Trimethylbenzoyl Diphenylphosphine Oxide), një substancë shumë e përdorur në produktet e manikyrit me xhel si fotoiniciator – një komponent që ndihmon në fortësimin e xhelit përmes rrezeve UV. Por BE-ja tashmë e ka klasifikuar TPO-në si të rrezikshme për riprodhimin, me ndikim të mundshëm në pjellori.

Vendimi, i shpallur në maj, i ka lënë industrisë vetëm disa muaj kohë për të gjetur alternativa më të sigurta. Kjo ka shkaktuar shqetësime në mesin e prodhuesve dhe specialistëve të bukurisë, të cilët tani duhet të riformulojnë produktet e tyre në një kohë të shkurtër.

Dr. Tania Vladenis, dermatologe dhe drejtoreshë e një klinike dermatologjike në Athinë, theksoi se përveç toksicitetit, TPO-ja mund të dëmtojë edhe strukturën e thoit, duke shkaktuar madje edhe shkëputjen e tij. Ajo këshillon konsumatorët të jenë të vëmendshëm ndaj shëndetit të thonjve, duke shtuar se ndryshimet në ngjyrë mund të jenë tregues të mungesës së vitaminave apo gjendjeve të tjera shëndetësore.

Ky rregull i ri përbën një hap tjetër në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të forcuar standardet e sigurisë në kozmetikë dhe produkte të kujdesit personal – një strategji që vendos në plan të parë shëndetin e konsumatorëve përpara lehtësisë së përdorimit të kimikateve.