Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar së fundmi transkriptin e një dëshmie të Ghislane Maxwell, bashkëpunëtorja dhe partnerja e financierit famëkeq Jeffrey Epstein, ku më në fund ka folur për afërsinë e tyre me Donald Trump.
Sipas dokumentit, ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja e Epstein ka deklaruar se ajo kurrë nuk e pa Presidentin Donald Trump në një “mjedis të papërshtatshëm”.
“Presidenti nuk ka patur kurrë sejellje të papërshtatshme me askënd”, shtoi ajo.
Maxwell tha gjithashtu se nuk është në dijeni të ndonjë “liste klientësh” për Epstein.
“Përveç emrave të viktimave, çdo fjalë është përfshirë në transkript. Asgjë nuk është fshirë. Asgjë nuk është fshehur”, siguroi Todd Blanch, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i cili mori dëshminë nga Maxwell në fund të korrikut.
Donald Trump ka qenë i akuzuar nga opinioni publik për përfshirje në skandalin e trafikimit seksual të vajzave të mitura të drejtuar nga Epstein me ndihmën e Maxwell, për shkak të njohjes së tij të hershme me çiftin. Administrata e tij madje është akuzuar për mungesë transparence lidhur me këtë çështje.
Skandali Epstein mori përmasa madhore për shkak të emrave të pushtetshëm të përfshirë në të dhe veçanërisht pas vetëvrasjes misterioze të Epstein në burg në vitin 2019.