Pas takimit të presidentit rus Vladimir Putin me atë amerikan Donald Trump, me qëllimin për të arritur një marrëveshje për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, janë zbardhur më në fund kushtet që Putin kërkon për arritjen e paqes.
Sipas Reuters, Kremlini ka tre kërkesa madhore për Ukrainën:
1. Të lëshojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit
2. Të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n
3. Të mbetet neutrale dhe të mbajë trupat perëndimore jashtë vendit.
Burime të Reuters pranë presidentit rus bëjnë me dije se Putin po kërkon braktisjen e plotë të territoreve të Donbasit që mbeten nën kontrollin e Ukrainës dhe në këmbim, Rusia do të ndalojë operacionet në frontet aktuale në Zaporizhia dhe Kherson.
Moska kontrollon rreth 88% të Donbasit dhe 73% të Zaporizhias dhe Khersonit, ndërsa thuhet se është e gatshme të dorëzojë pjesë të vogla të rajoneve Kharkiv, Sumy dhe Dnipropetrovsk që mban aktualisht.
Për këto pretendime të Rusisë nuk ka pasur ende një reagim nga Kievi, megjithatë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski ka deklaruar disa herë se është kategorik përsa i përket heqjes dorë nga territori ukrainas.